Shoqëria jonë, shpesh herë, tenton t’i kushtojë vëmendje marrëdhënieve romantike, duke menduar se gjetja e personit të duhur, do të na bëjë të lumtur dhe të përmbushur. Por, hulumtimet tregojnë se miqtë, shoqëria, janë shumë të rëndësishëm për mirëqenien tonë psikologjike, duke sjellë më shumë lumturi, sesa pothuajse çdo gjë tjetër.
Lidhur me këtë temë, Radio KFOR-i intervistoi disa dëgjues, duke i pyetur se sa është e rëndësishme shoqëria për ta? “Përshëndetje, unë jam Diellza Salihaj. Unë për vete kam shumë shoqe dhe gjatë gjithë kohës mundohemi t’i forcojmë lidhjet tona shoqërore edhe më shumë, duke dalë se bashku, duke biseduar, duke u munduar t’i gjendemi njëra-tjetrës kur kemi nevojë, në suksese apo edhe në dështime.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe dëgjuesi tjetër, Mërgim Zeqiri, i cili veçoi: “Tek unë, shokët kanë një vend të veçantë, sepse mendoj që pa shoqëri, nuk kishte me qenë jeta kaq interesante. Prandaj, qëndroj pas thënies së njohur që shoqëria e mirë, nuk ka të paguar!”
Miqtë e mirë kanë një ndikim të madh në shëndetin dhe lumturinë tonë. Ata lehtësojnë stresin, sigurojnë rehati dhe gëzim dhe parandalojnë vetminë dhe izolimin.