Mjedisi është gjithçka rreth nesh, duke përfshirë ajrin, ujin, tokën, bimët dhe gjërat e krijuara nga njeriu, por që të kemi një mjedis të pastër duhet të kontribuojmë të gjithë, duke filluar edhe nga fëmijët, ku prindërit dhe kujdestarët e tyre duhet t’iu mësojnë dallimin midis nevojës dhe dëshirës. Kurrë nuk është shumë herët, për t’iu mësuar fëmijëve vlerën e reduktimit, ripërdorimit dhe riciklimit. Zbatimi i tre ‘R-ve’, në projekte të ndryshme artizanale, është një mënyrë e shkëlqyer për të dhënë këto mësime.
Ekspertët thonë se duhet t’i lëmë fëmijët të marrin gjësendet e tyre dhe të krijojnë një vepër arti, duke e futur në përdorim imagjinatën e tyre. Ndërsa ata punojnë, ne duhet të flasim me ta, duke iu treguar se pse nuk duhet t’i hedhim disa nga mbeturinat, por ato duhet t’i riciklojmë për t’i shndërruar në diçka të re dhe të nevojshme.
Vlera e reduktimit të mbeturinave dhe e të qenit të ndërgjegjshëm për ripërdorimin dhe riciklimin e gjësendeve, zhvillon imagjinatën e fëmijëve dhe njëkohësisht ndihmon që të kemi një botë më të pastër!