‘Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave’, është një moment i veçantë për të reflektuar mbi rëndësinë e komunikimit përmes duarve, shprehjes së fytyrës dhe gjuhës së trupit. Kjo ditë shërben si thirrje për ndërgjegjësim mbi të drejtat e personave të shurdhër dhe për promovimin e përdorimit të gjuhëve të shenjave, në mbarë botën.
Data e sotme 23 shtator, është zgjedhur për të përkujtuar ‘Federatën Botërore të të Shurdhërve’, që u themelua në vitin 1951, një organizatë që ka luajtur rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të të shurdhërve dhe në forcimin e gjuhëve të shenjave, si pjesë e identitetit kulturor.
Shpesh, gjuha e shenjave shihet vetëm si mjet komunikimi për personat e shurdhër. Por në të vërtetë, ajo është shumë më tepër, është një gjuhë e plotë me rregulla të saj gramatikore, fjalor të pasur dhe mënyra të ndryshme shprehjeje. Ashtu si çdo gjuhë tjetër, edhe gjuha e shenjave bart kulturë, histori dhe identitet.
Në botë ekzistojnë qindra gjuhë të ndryshme të shenjave, nga gjuha ndërkombëtare e shenjave deri te gjuha e shenjave amerikane, britanike, franceze dhe sigurisht edhe gjuha e shenjave shqipe.