Çdo vit me datën 11 tetor, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Vajzave’, një iniciativë kjo e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që ka për qëllim fuqizimin e vajzave dhe ngritjen e vetëdijes për të drejtat e tyre. Kjo ditë përkujton sfidat me të cilat përballen vajzat në mbarë botën, duke përfshirë pabarazitë në arsim, dhunën me bazë gjinore, martesat e hershme dhe qasjen e kufizuar në kujdesin shëndetësor.
Edhe në Kosovë pritet të mbahen aktivitete të ndryshme, të cilat përfshijnë seminare edukative, fushata ndërgjegjësimi në shkolla dhe media sociale si dhe një sërë eventesh të organizuara nga shoqatat për të drejtat e njeriut.
‘Dita Ndërkombëtare e Vajzave’ është një thirrje globale për të vepruar, me qëllim që çdo vajzë të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet, të marrë edukim cilësor dhe të kontribuojë në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë për të gjithë.







