Se Radio KFOR është zëri i Kosovës, është dëshmuar për 19 vite me radhë, kur edhe nisi së funksionuari ky radio stacion në vitin 1999, i cili i shërben paqes, stabilitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare e gjinore.
Përveç programeve të larmishme që përbëjnë skemën programore të këtij mediumi, Radio KFOR-i ndër vite organizon ngjarje të ndryshme kulturore dhe lojëra shpërblyese në formë mirënjohjeje ndaj besnikërisë së dëgjueve të saj.
Kështu ndodhi edhe së fundmi, me ç’rast Radio KFOR-i shpërbleu dëgjuesit e saj, të cilët kishin dërguar video kreative, 10 prej të cilave u përzgjodhën si më të mirat nga juria profesionale e Radio KFOR-it, e që më pas, ato që morrën më së shumti pëlqime u renditën si fitueset e kësaj gare.
Por Radio KFOR-i, jo vetëm fituesit, por edhe pjesëmarrësit dhe familjarët e tyre i priti përmes një ngjarjeje të organizuar ekskluzivisht për ta.
Përmes një pritjeje, e cila do të ju mbetet gjatë në kujtesë e me përplot dhurata, ata patën rastin që për herë të parë në jetën e tyre të vizitojnë Kampin e KFOR-it, nga i cili edhe operon Radio KFOR-i dhe të takojnë e të fotografohen me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Salvatore Cuoicci.
I entuziazmuar me organizimin dhe pjesëmarrjen e garuesve, Gjenerali Cuoci, falenderoi Radio KFOR-in për ndikimin pozitiv që ka në përçimin e porosisë që KFOR-i bartë, për një jetë të përbashkët e paqësore dhe shpërndau dhurata të shumta për të gjithë pjesëmarrësit.
Në këtë ditë, të shndërruar në festë për dëgjuesit e saj, fituesit dhe pjesëmarrësit shijuan edhe ushqime të përgatitura për ta dhe takuan bashkëmoshatarët e tyre serb dhe shqiptar.
Dëgjues të dashur, vazhdoni ta dëgjoni zërin tuaj përmes valëve të Radio KFOR-it, meqenëse përveç argëtimit dhe informimit tuaj, ju edhe shpërbleheni.