Në studion e Radio KFOR-it sot (14 tetor), i ftuar special në kuadër të kampanjës së artit #RadioK4visualartcampaign, ishte profesionisti ilustrues që solli risi në fushën e artit digjital në Kosovë, animatori dhe dizajneri profesionist, z. Leopard Cana.
Z. Cana, viteve të fundit, talentin e tij artistik po e shfaq edhe përmes revistës më të lexuar në Kosovë ‘MagazineForYou’. Gjatë emisionit të drejtpërdrejt në Radio KFOR, Leopardi tregoi se për art u inspirua nga nëna e tij, e cila është marrë me punimin dhe dizajnin e veshjeve të nusërisë dhe ndër të tjera shtoi: “Inspirimi im ka qenë nga rrethanat e jashtme, ngjarjet, por gjithmonë duke e përdorur shijen time. Unë mendoj se arti ka tre elemente që duhet të promovohet shumë dhe duhet të punohet shumë, d.m.th. duhet të punohet deri në atë masë sa të mendosh se ndoshta nuk do të kesh sukses, por nuk duhet të ndalesh dhe promovimin duhet ta bësh në maksimum, sepse arti dhe muzika duhet edhe me u pa edhe me u dëgjua. Pra punoni sa më shumë dhe promovoni sa më shumë!”
Arti është një gamë e larmishme e aktivitetit njerëzor, që përfshin talentin krijues ose imagjinatës që shpreh aftësi teknike, bukuri, fuqi emocionale ose ide konceptuale, prandaj përgjatë gjithë muajit tetor Radio KFOR-i do t’ju prezantojë me artistë të ndryshëm.