Radio KFOR-i gjithmonë ka qenë shtëpi e artistëve të rinj, ku emra të shumtë e të njohur të skenës muzikore, janë takuar me publikun përmes frekuencave tona. Ne vazhdojmë të sjellim tek dëgjuesit tanë, talent të rinj të cilët e përcjellin artin e tyre tek të tjerët.
Kësaj radhe ju prezantojmë me një djalosh të ri, por shumë të talentuar në muzikë, e ai nuk është vetëm një këngëtar i ri por edhe shkruan tekste, prodhon muzikë e gjithashtu është i angazhuar edhe si audio inxhinier në shumë projekte, e ky është, Fatlum Muqolli, një emër të cilin duhet ta mbani në mend. Në një prononcim për Radio KFOR-in ai tha: “Me muzikë jam rritur dhe e kam dashtë qysh i vogël. Shumicën e gjërave që i di dhe i realizoj në muzikë, i kam mësuar përmes kanalit Youtube. Aty kam mësuar edhe si të luaj në kitarë. Një prej përvojave më të mira deri tani, ka qenë pjesëmarrja ime në spektaklin TV ‘The Voice’. Aty e kam kuptuar se i përkas botës së artit. Kohëve të fundit kam punuar shumë në studio dhe kam shumë për ti dhënë publikut dhe po shpresoj që këto projekte të dëgjohen, sepse do të doja që arti im të depërtojë tek njerëzit.”
Artisti, Fatlumi, është shumë aktiv edhe në rrjete sociale dhe atë mund ta shihni duke publikuar edhe ripërpunime të këngëve të ndryshme, siç edhe e cekëm më lartë, mbajeni në mend këtë emër!