KFOR-i – mision i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, po shënon sot ‘Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave’, nëpërmjet zërit të tij në Kosovë, Radio KFOR-it, i cili edhe këtë vit do të mbështesë fushatën ’16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Baza Gjinore’.
Kjo fushatë ndërkombëtare lansohet çdo vit më 25 Nëntor dhe zgjatë deri më 10 Dhjetor, në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’. Ajo shërben si strategji dhe thirrje e organizatave për rreth botës, për të parandaluar dhe eliminuar dhunën kundër grave dhe vajzave. Më shumë se 40 aktivitete do të organizohen në Kosovë, nga organizata lokale dhe ndërkombëtare, të cilat përfshijnë debate, punëtori, vizita në strehimore të grave dhe ndriçim me ngjyrë portokalli të disa prej ndërtesave më të rëndësishme në Kosovë. Tema e kësaj fushate globale këtë vit është: “Ngjyrose Botën në Portokalli: gjej, reago, parandalo, mbledh!”.
Në vitet e fundit, Radio K4 ka mbështetur këtë fushatë duke transmetuar audio mesazhe që janë realizuar së bashku me UN Women Kosovo, EULEX dhe Ministrinë e Drejtësisë. Këtë vit, Radio K4 do të raportojë për aktivitete të shumta, përfshirë tri punëtori me studentë për të drejtat e njeriut dhe dhunën me bazë gjinore, aktivitetet e Komiteteve Lokale për Siguri Publike bashkë me Policinë e Kosovës si dhe Akademinë e Dialogut nga OSBE-ja për gratë dhe vajzat.
Radio KFOR-i po ashtu do të transmetojë audio materiale kundër dhunës në familje: një çështje mjaft e ndjeshme, ngjashëm si të gjitha llojet e dhunës kundër grave dhe vajzave, të cilat janë shtuar në mbarë botën si pasojë e izolimit gjatë pandemisë ‘CoViD-19’. Në lidhje me këtë, Radio K4 ka mbështetur kampanjën e fundit vetëdijesuese nga OSBE-ja dhe Policia e Kosovës, gjatë kohës së izolimit, duke promovuar numrin e qasshëm 24/7, ku mund të raportojnë të gjitha gratë që janë viktima të dhunës në familje. Po ashtu, Radio KFOR-i, ka raportuar edhe për ekspozitën ‘Dhuna nuk fshehet mrena mureve’, e mbajtur në Prishtinë, nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Ndër aktivitetet e fushatës së këtij viti, do të jenë edhe intervistat me projekt menaxheren në UN Women Kosovo, Znj. Rozafa Kelmendi dhe kryetaren e Shoqatës së Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut, Znj. Vetone Veliu.
KFOR-i mbetet i përkushtuar në zbatimin e agjendës së Rezolutës 13/25, të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Për këtë, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, me anë të një konference ndërkombëtare, të mbajtur më 7 tetor në Prishtinë, shënoi 20 vjetorin e kësaj rezolute, ku morën pjesë 20 folës nga institucione dhe organizata ndërkombëtare e vendore. Kohëve të fundit, KFOR-i ka mbështetur edhe projekte për t’i ndihmuar gratë, siç ishte donacioni i makinave të qepjes për Shoqatën ‘Jeta’, në Deçan si dhe vendosja e sistemit të kamerave të sigurisë në Strehimoren e Grave në Novosellë. Të gjitha këto aktivitete janë ndjekur për së afërmi dhe janë transmetuar nga Radio KFOR-i.