Në vazhdën e realizimit të kampanjës #PSYCHOLOGISTS, që po zhvillohet përgjatë këtij muaji, në Radio KFOR, sot (12 prill), në emisionin e mesditës ‘Macchiato Lounge’, ishte psikologu klinik dhe psikoterapeuti, Naim Telaku i cili tregoi se si të përballojmë stresin e përditshëm.
Gjatë bisedës në studio, ndër informata të shumta, psikologu Telaku, na tregoi se çfarë duhet të veprojmë që ta minimizojmë apo ta largojmë komplet stresin: “Rekomandohet që gjithsecili të merret me aktivitete fizike, pastaj rekomandohet që pas përfundimit të orarit të punës, të shkëputemi plotësisht nga puna. Shumë prej nesh, po e shohim vetën duke iu përgjigjur telefonatave apo mesazheve, edhe pasi që e kemi përfunduar orarin e punës apo kur jemi në shtëpi dhe një veprim i tillë është shumë i dëmshëm. Pastaj rekomandohet që në fundjavë, nëse mundeni, të largoheni nga rutina, të dilni në natyrë dhe të shihni vende të reja. Pastaj, është mirë me i ikë ndjenjës së konkurrencës me të tjerët. E vetmja konkurrencë që na duhet, është konkurrenca me vetveten, sepse me të tjerët është kryesisht shumë e dëmshme dhe fare në fund rekomandohet që të zhvilloni raporte ndër personale me kolegët e punës, në ato raste kur ndiheni keq ta ndani me ta, të zhvilloni komunikim shumë të thellë edhe me personat e afërt që i keni, në familje ose në shoqërinë e ngushtë.”
Nëse vazhdimisht ndihemi nën ndikimin e stresit, sipas psikologut Telaku, është mirë që t’i drejtohemi psikologëve, me të cilët mund të diskutojmë për të gjitha shqetësimet që i kemi. Psikologu klinik dhe psikoterapeuti, Naim Telaku punon në Kolegjin AAB, në të cilin punon si profesor, është dekan si dhe zhvillon seanca në Poliklinikën “AMD”, e cila vepron në kuadër të Kolegjit AAB. Sipas profesorit Telaku, profesioni i psikologjisë është pasion, i jep kuptim jetës, ku vetëm pas një seance të vetme, pacienti i cili futet me fytyrë të ngrysur, del nga seanca me fytyrë të buzëqeshur!