Radio, është mediumi më miqësor, me të cilin dëgjuesit mund të shoqërohen kudo që janë, qoftë në shtëpi, në vendet e punës, në vetura duke vozitur, apo në plazhe duke shijuar pushimet.
Roli i Radios, si i çdo mediumi tjetër është që të informojë, edukojë dhe argëtojë audiencën. Por, mënyra që ka zgjedhur Radio KFOR-i për ta bërë një gjë të tillë, është më e veçantë.
Moderatorja, Vjosa Spahiu Gola, e cila ka disa vite që punon në këtë medium, përmend mesazhet për paqe, tolerancë e bashkëjetesë që përçohen te dëgjuesit përmes frekuencave të Radio KFOR-it: “Radio është një medium i rëndësishëm që depërton te secili, duke informuar, edukuar edhe argëtuar audiencë të madhe në gjithë vendin. Afërsia dhe marrëdhënia që të krijon puna në radio nëpërmes interaktivitetit, energjisë dhe dëgjuesve tanë, të cilët janë miqtë tanë të përditshëm, janë motiv shtesë për dashurinë ndaj këtij profesioni. E veçanta e Radio KFOR-it qëndron në faktin që ne përfaqësojmë zërin e misionit të KFOR-it në Kosovë dhe përmes mesazheve tona, ne përcjellim tek dëgjuesit tanë idenë e të jetuarit së bashku, pa dallime të përkatësisë etnike dhe dallimeve tjera, duke mbështetur kështu edhe misionin e KFOR-it në Kosovë.”
Puna në radio është e veçantë edhe për moderatoren tjetër të Radio KFOR-it, Marina Gigic Jovanovic, e cila po ashtu ka shumë vite që punon në redaksinë serbe të Radio KFOR-it: “Radio është një medium special. Fakti i të qenurit më i shpejti, radio ka përparësi të shumta përkrahë mediave tjera. Ne jemi dëshmitarë se si sot mund ta dëgjojmë radion çdo kund. Sot, edhe nëse nuk kemi radio në shtëpitë tona, ne mund ta dëgjojmë atë në telefona mobilë përmes aplikacioneve, por edhe në internet. Kjo na mundëson që gjithmonë të jemi të përditësuar me të gjitha informacionet.”
Ju mund të dëgjoni Radio KFOR-in dhe të na keni me vete kudo në botë, përmes aplikacionit mobil ‘Radio K4’, të cilin mund ta shkarkoni falas, qoftë për Android apo iOs, në varësi se cilin e përdorni. E ju nëse doni lajme të shpejta, muzikë të mirë, moderatorë që ju disponojnë në secilën pjesë të ditës, atëherë Radio KFOR-i është zgjidhja më e mirë për ju.