Nga data 6 deri më 7 mars, shënohet ‘Dita për t’u Shkëputur nga Teknologjia’, një nismë ndërkombëtare që fton njerëzit të shkëputen për 24 orë nga pajisjet digjitale dhe rrjetet sociale, për t’i dhënë më shumë hapësirë jetës tonë reale.
Në një kohë kur telefoni është bërë rutinë dhe njoftimet aty nuk ndalen asnjëherë nga platforma të ndryshme, kjo ditë vjen si një pauzë e nevojshme. Qëllimi nuk është të demonizohet teknologjia, por të rikthehet balanca ditore mes jetës private dhe teknologjisë. Organizatorët theksojnë se edhe një pushim i shkurtër nga ekranet mund të përmirësojë përqendrimin, cilësinë e gjumit, marrëdhëniet dhe shëndetin mendor.
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale lidhet me rritje të stresit, ankthit dhe ndjesisë së izolimit. Një “detoks digjital” 24-orësh mund të ndihmojë në reduktimin e lodhjes mendore dhe në rikthimin e vëmendjes tek gjërat e thjeshta: një shëtitje në natyrë, një bisedë pa telefon në tavolinë, lexim libri apo kohë cilësore me familjen.
Kjo ditë është edhe një reflektim për të gjithë, se: a po e përdorim ne teknologjinë, apo ajo po na përdor neve?!!







