Puna nga shtëpia është gjithmonë e më shumë në rritje, teksa distancimi social i shkaktuar nga pandemia CoViD-19, vetëm po e përshpejton këtë trend, ndërsa ekspertët e vlerësojnë të arsyeshëm këtë ndryshim. Pse dikush duhet të kalojë nëpër orë të tëra në trafik dhe të shkojë në një zyrë, kur gjithçka që u nevojitet është një kompjuter dhe krejt çka duhet është një lidhje interneti?! Në vitin 2021 pritet të shohim punë të ndryshme që do të fillojnë të kryhen nga shtëpia, por disa prej tyre padyshim do të jenë:
1. Konsulent mjekësor – Gjithnjë e më shumë po shtohet nevoja që pacientët të kryejnë konsulta të shkurtra me mjekun për t’i shuar dyshimet e tyre apo për mënyrën e përdorimit të barërave të përshkruara, etj. Kjo gjë lehtësisht mund të kryhet online pa pasur nevojë të vizitoni mjekun.
2. Zëdhënës – Çdo kompani ka nevojë të komunikojë sa më mirë me publikun, por tani çdo komunikim thuajse realizohet online përmes rrjeteve të ndryshme sociale, andaj edhe puna e zëdhënësit pritet që shpejt të mos ketë nevojë për një zyrë.
3. Dizajner grafik – Nëse jeni të aftë të përdorni Photoshop dhe Illustrator dhe keni një kreativitet të lindur, atëherë nuk duhet të mendoni dy herë para se të filloni të kërkoni për punë nga shtëpia.
4. Kurse, Trajnime dhe Këshillime Online – Një punë tjetër e shkëlqyeshme që mund të realizohet online nga shtëpia, është të jesh një trajner apo mësues. Me rritjen e E-learning dhe shumë programeve për mësim online, mësimdhënia pritet që në vitin 2021 të evoluojë edhe më shumë në një punë që realizohet nga shtëpia.
5. Editor profesionist i videove dhe audiove – ekspertët e editimit të videove dhe audiove, duhet të mendojnë për një kënd pune në shtëpitë e tyre, sepse vështirë se do t’ju kërkojnë të paraqiten në punë më 2021.