Për më shumë se një vit bota përballet më një nga viruset më të rrezikshme të këtij shekulli, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetës dhe punës sonë. Gjatë pandemisë mjekët dhe stafi mjekësor ishin në vijën e parë të frontit duke u dalë në ndihmë mijëra personave të prekur nga ky virus.
Pa dyshim, që gazetarët ishin po ashtu ndihma më e madhe, të cilët me përkushtim, gatishmëri dhe në momentet më kritike ishin në vendin e ngjarjes, duke raportuar dhe duke kryer punën e tyre edhe në rrethana të rrezikshme për shëndetin e tyre.
Duke raportuar vazhdimisht mbi situatën me COVID-19 ishte edhe gazetarja nga Radio Televizioni i Kosovës, Artiana Matoshi, e cila tregoi për sfidat më të cilat është përballur gjatë kësaj kohe:
“Muajt më të rëndë të punës si gazetarë ishin pikërisht ata kur vendi u mbyll si pasojë e COVID-19. Kjo për shkak të kushteve, se të gjithë e dimë që kushtet e gazetarëve në Kosovë lënë shumë për të dëshiruar. Veç gazetarëve të shëndetësisë që u përballën direkt me rrezikun, ishte edhe pjesa kur na është dashur t’i mbulojmë qindra takime të politikaneve, ku qëndronim gazetarë e kameramanë të grumbulluar në një ambient të vogël. Sfida më e madhe ishte frika se do të infektoheshim, e sëmundjen do ta bartnim tek familjarët tonë. Në ato momente asnjë nuk mendonte për vete, por për anëtarët e familjes, të moshuarit e ata me sëmundje kronike”.
Përveç sfidave të shumta me të cilat është përballur Artina, gjatë kësaj kohe, ajo tregoi se pati edhe diçka të mirë. Afrimi i kolegeve gazetarë për të ndihmuar njeri-tjetrin me informacione në atë kohë ishte për tu duartrokitur.
Mbi të gjitha, sipas saj, gazetarët në këtë kohë të raportimeve kanë treguar seriozitet dhe etikë të punës, duke raportuar me korrektësi pa ngjallur panik në masë.