Kodi i veshjes përmban më shumë sekrete sesa ne mund të mendojmë.
Veshja dhe pamja përcjellin mesazhe mbi personalitetin tonë tek njerëzit e tjerë. Andaj, duhet të jemi të kujdesshëm kur zgjedhim se si duam të dukemi.
Pa thënë asnjë fjalë, vetëm përmes gjuhës së trupit dhe veshjes tonë, njerëzit janë të aftë të krijojnë ide se kush jemi ne.
Laureta Thaqi, e cila punon si zyrtare për media në Komunën e Drenasit për Radio KFOR-in flet për rëndësinë e respektimit të kodit të veshjes në vendin e punës:
“Kodi i veshjes dhe paraqitja që bëjmë ne në mjedisin e punës ruan jo vetëm integritetin personal të punonjësit, por edhe të komunës. Prandaj, edhe kodi i veshjes në një mjedis të tillë të punës duhet të respektohet për shkak se nuk e përfaqësojmë vetëm vetën, por edhe Komunën”.
E Angesa Çitaku, e cila punon si gazetare flet për ndryshimet që i vëren sa i përket trendit të modës në vendin tonë dhe ndikimin e kësaj në kodin e veshjes.
“Viteve të fundit ka ndryshuar me të madhe veshja në Kosovë. Mundësitë që na kanë dhënë sot rrjetet sociale ose ata që kanë mundësi të dalin jashtë vendit po sjellin frymë të re të veshjes në Kosovë, si dhe po kemi respektim të madh të kodit të veshjes”.
Të dish të vishesh bukur është art. T’i kushtosh vëmendje veshje do të thotë t’i kushtosh rëndësi eventit dhe të kesh respekt për veten.