Përzgjedhja e profesionit të studentëve, këtë vit, do të jetë më e begatshme fal themelimit të Programit të Studimit të Ballkanistikës, në Fakultetin e Filologjisë, e cila është mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë, Zyra e Komisionerit të Gjuhëve, OSBE-ja dhe nga Universiteti i Prishtinës.
Pjesë e programit katërvjeçar të nivelit Baçelor, i akredituar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit, pas një procesi të plotë të vlerësimit nga ekspertë ndërkombëtarë, mund të bëhen maturantët e shkollave të mesme nga Kosova dhe rajoni, meqë përveç programit në gjuhën shqipe, do të ketë programe edhe nga gjuhët ballkanike, të zgjedhura nga vetë studentët dhe sipas nevojës edhe në gjuhën angleze, derisa studentët e kombësive të ndryshme të mësojnë gjuhën e njëri -tjetrit.
“Hapja e këtij programi synon përmirësimin e komunikimit ndër-gjuhësor dhe ndër-kulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, kështu tha për Radio KFOR-in, Dekanja e Fakultetit Filologjik, në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Linditë Sejdiu – Rugova dhe më tutje shtoi: “Synim tjetër i këtij programi është studimi i veçorive gjuhësore dhe kulturore të Ballkanit. Në këtë kuptim, gjuhët nuk shihen vetëm si mjet komunikimi dhe mirëkuptimi reciprok midis shoqërive që jetojnë në një hapësirë, pak a shumë, të përbashkët dhe të kulturave të tyre përkatëse. Përmes studimit të gjuhëve dhe dialekteve, letërsisë dhe folklorit, trashëgimisë kulturore dhe historisë së përbashkët të Ballkanit, studentët do të jenë në gjendje të kuptojnë më mirë kulturën e tyre dhe të të tjerëve, duke i përdorur perspektivat e tyre të përshtatura, në përdorim të mirë, në karrierën e tyre profesionale dhe akademike.”
Pas përfundimit të programit të lartpërmendur, studentët do të pajisen me Diplomë Baçelor, e cila iu ofron atyre mundësi punësimi, si: në përkthim dhe interpretim të dy ose më shumë gjuhëve në sektorin publik dhe privat; mësimdhënien e gjuhëve ballkanike, shqipe dhe një gjuhë tjetër ballkanike; këshillim dhe kërkim kulturor mbi çështjet e Ballkanit në organizatat qeveritare dhe joqeveritare, vendore, rajonale ose ndërkombëtare; komunikim rajonal, ekspertë, për sektorin publik dhe privat.