Numri i të prekurve me CoViD-19, po vazhdon që të ketë një trend në rritje. Veç shqetësimin për shëndetin e qytetarëve, profesionistët shëndetësorë po përballen edhe me një fluks në rritje, gjë që ka çuar në një ngarkesë në spitale. Për të kuptuar se cila është gjendja aktuale në vend sa i përket korona-virusit, Radio KFOR-i ka kontaktuar me Specialistin e Pulmologjisë dhe Mjekësisë Familjare në QKUK, Arbër Ismaili, i cili bëri thirrje tek të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim, që të respektojnë masat në fuqi, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme të CoViD-19: “Gjendja aktuale në Kosovë me CoViD-19 është shqetësuese, kemi rritje të numrit të rasteve të tjera të të infektuarve. Personat më të rrezikuar janë të moshuarit, diabetikët, të sëmurët nga sëmundjet kronike të sistemit kardio-vaskular, të sistemit respirator dhe personat obez. Rastet e dyshimta me CoViD-19 dhe rastet e konfirmuara përmes testimit PCR, duhet të konsultohen patjetër me mjekun dhe të trajtohen. Pa recetë të mjekut, ndalohet përdorimi i antibiotikëve, ndërsa lejohet përdorimi i terapisë vitanimoze si Vitaminës D, Magneziumit dhe Vitaminës C. Të gjithë ne profesionistët shëndetësorë jemi përballur me vështirësi të mëdha dhe po përballemi çdo ditë në luftën kundër CoViD-19 andaj i lusim të gjithë qytetarët që të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, që të mbajnë distancën sociale, përdorimin e dezinfektueseve dhe mbajtjen e maskës, që të parandalojnë infektimin dhe përhapjen e CoViD-19.”
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) dhe laboratorët privat me metodën RT-PCR si dhe laboratorët publik dhe privat me metodën RAT, kanë rezultuar pozitiv me CoViD-19, 568 raste të reja nga 2.532 mostra.