Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës ka arritur që të siguroj15.4 milionë euro deri tani, për Sallën e Koncerteve dhe Teatrin e Operas e Baletit në Prishtinë.
Ka qenë drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, që e ka komunikuar lajmin përmes rrjeteve sociale për fondin e siguruar.
“Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesën e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin”, ka shkruar Rugova.
Ndër të arriturat të tjera që ka listuar Rugova, është edhe kino Armata dhe themelimi i muzeut: “E kemi rikthyer kino Armatën në hapësirë publike kulturore, me program të rregullt. I kemi nisur projektet për rehabilitimin e qendrës historike, përfshirë ndërtesat si Shkolla e Parë Shqipe. Punët kanë filluar për herë të parë pas sa dekadash në këtë pjesë, me idenë që të kthehet në zemër të vërtetë të qytetit. Për herë të parë Prishtina do të ketë muze komunal. Jemi në proces të punës me themelimin e muzeut Ibrahim Kodra dhe Shtëpive Shkolla dhe dy muzeumeve tjera që do të shpallen ndërkohë. Prishtina e ka gati strategjinë e turizmit, kurse edhe info qendra turistike është në punim e sipër së bashku me panelet informuese”, ka deklaruar ndër të tjera drejtori i i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova.