Nga data 22 deri më 26 shtator, kryeqyteti i Kosovës do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të rëndësishme për muzikën bashkëkohore në rajon – BCCP 2025 – Balkan Composer Competition in Prishtina.
Ky edicion i katërt i konkursit ndërkombëtar të kompozitorëve ballkanikë organizohet nga DAM Festival, duke mbledhur në Prishtinë kompozitorë të rinj nga e gjithë Ballkani për të prezantuar krijimet e tyre më të reja dhe më eksperimentale. Gjatë pesë ditëve të konkursit, do të mbahen koncerte, punëtori, bashkëpunime me ansamble ndërkombëtare dhe në fund do të shpallen fituesit e edicionit, të cilët do të vlerësohen nga një juri profesionale ndërkombëtare.
“Qëllimi i këtij konkursi është të krijojë ura bashkëpunimi mes kompozitorëve të rinj dhe ansambleve bashkëkohore si dhe të promovojë vepra të reja që rrallë dëgjohen në rajon”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Edicionet e kaluara të BCCP-së kanë sjellë në Prishtinë grupe të njohura ndërkombëtare, si Oerknal Ensemble nga Haga dhe Nouvel Ensemble Contemporain (NEC) nga Zvicra, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të rëndësishme të muzikës moderne.







