Në një garë të ngushë me kryeqytetin e Austrisë, Vjenën dhe kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, Prishtina është përzgjedhur që të jetë nikoqire edicionit të 14-të të ‘Manifesta’’, që është një nga ngjarjet më të mëdha artistike në Evropë. Për të kuptuar më shumë për këtë ngjarje që do të mbahet në vitin 2022, Radio KFOR-i ka kontaktuar Drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, i cili ndau me ne detaje të kësaj ngjarjeje: “Manifesta është një bienale evropiane nomadike, e para e formatit të tillë dhe si një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, do të shërbejë që qytetit ynë, Prishtina, të futet në listën e qyteteve ku mbahen ngjarje të rëndësishme kulturore tash e 10 vite, në Evropë. Një bienale e tillë, mbahet për herë të parë në Gadishullin Ballkanik. Për ‘Manifesta’, tashmë kemi filluar punën, janë përzgjedhur koordinatorët, para disa ditësh në Kino ARMATA kemi pasur edhe ngjarjen informuese, ku i kemi informuar qytetarët, të cilët i shohim jetik në bashkëpunimit tonë, për arsye se ngjarja kulturore duhet të jetë ngjarje gjithëpërfshirëse, ku marrin pjesë të gjithë qytetarët.”
Sipas z. Berisha fokusi i këtij organizimi do të jetë në edukim dhe kulturë dhe gjatë mbajtjes së ‘Manifesta’, e cila do të zgjasë 90 ditë, do të krijohet një institut interdisiplinor kulturor me fokus në edukim, rini dhe kulturë dhe pastaj ky institut do të jetë si produkt i ‘Manifestës’.