‘Prishtina Music Conference’ (PMC), është një ngjarje dyditore që do të mbahet më 3 dhe 4 nëntor, në Kino Armata në Prishtinë. PMC është një platformë edukative që ofron mundësi rrjetëzimi, promovimi dhe frymëzimi për artistët përmes shfaqjeve, diskutimeve në panel, prezantimeve, ekspozitave, seminareve dhe masterklasave. Konferenca e këtij viti do të ketë deri në 15 folës dhe do të përfshijë një sërë aktivitetesh, duke filluar nga paneldiskutimet, prezantimet, sesionet edukative, punëtoritë, një ekspozitë dhe koncerte. Konferenca do të përmbyllet me after party-n zyrtar ‘Rave Festival’, në natën finale. PMC është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, e cila ka popullsinë më të re dhe të neglizhuar në Evropë dhe është projektuar për të mbështetur dhe ushqyer rritjen e industrisë artistike globale.
Tema e edicionit të tretë ‘Prishtina Music Conference’, e këtij viti (2023), do të jetë “Përgjegjësia”. Kjo temë do të eksplorohet përmes një sërë programesh dhe aktivitetesh të konferencës duke përfshirë diskutime në panel, prezantime, ekspozita dhe shfaqje.
‘Prishtina Music Conference’ do të mbahet në Kino Armata, një hapësirë publike në qendër të qytetit që zhvillon programe gjatë tërë vitit e që promovojnë ngjarje kulturore alternative dhe dialogun social. Kino Armata, ka një histori të gjatë si qendër edukative dhe ekspresive për artistët në Prishtinë dhe ka një kapacitet për të akomoduar 300 pjesëmarrës.
Vendi përfshinë një skenë për shfaqje, ulëse për të pranishmit dhe pajisje audio-vizuale për prezantime dhe diskutime në panel. Gjithashtu ndodhet në një lokacion qendror dhe lehtësisht të qasshëm në kryeqytet.