Pas një viti të suksesshëm, Filharmonia e Kosovës ka publikuar edhe organizimin e parë për vitin 2023. Programi për këtë vit do të ofrojë përzierje të thesareve klasike, muzikës bashkëkohore, premierave të rëndësishme, performanca të artistëve vendorë dhe atyre me famë botërore.
Viti do të nis me koncertin “Nga bota e re”, që do të mbahet më 29 janar, në ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Nën dirigjimin e Maayan Franco, në skenë do të interpretohen vepra nga Antonín Dvořák, Joaquín Rodrigo, Kreshnik Aliçkaj me solist kitaristin Petrit Çeku. Filharmonia e Kosovës ka paralajmëruar edhe shumë organizime të tjera, në kuadër të programit të tyre përgjatë këtij viti.
Në Galerinë 17 në Prishtinë, më 24 janar hapet ekspozita e kompozitorit dhe pianistit Ilir Bajri. Ekspozita mbahet në kuadër të temës ‘Scanning the region’, në bashkëpunim me forumZFD – Kosovo Program.
Më 24 janar, nga ora 20:00, në Teatrin e Kosovës, do te keni mundësinë të ndiqni shfaqjen ‘Molly’ nga Sibel Abdiu. Një ditë më vonë, më 25 janar, jepet shfaqja e shumëpritur ‘Gratë’, me regji të Nastazija Domartzka.
Muaji janar përmbyllet me shfaqjen ‘Club Albania’ që do të jepet më 28-30 janar, me regji të Fatos Berishës. ‘Club Albania’ është bazuar tek komedia ‘Pas Vdekjes’ nga Andon Zako Cajupi, një shfaqje ku trajtohet nevoja njerëzore se çka do të flitet pas vdekjes – si fenomen i nevojës shoqërore!