Përveç vapës, muaji korrik, do të na sjellë në kryeqytet një ngjarje freskuese artistike, për të bërë bashkë artistë, bende dhe të rinj, përmes eventit ‘Street Party Prishtina’. Përgjatë një dite, me datën 10 korrik, rruga ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, do të mbyllet për vetura nga ora 13:00 deri në ora 23:00 dhe aty do të performojnë artistë dhe bende të njohura.
Rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i, zhvilloi një intervistë me krijuesin dhe ideatorin e ‘Street Party Prishtina’, z. Ardin Badivuku, i cili tha: “Këtë vit ‘Street Party Prishtina’, do të shënoj edicionin e tretë dhe do të mbahet në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, e njohur si ‘rruga e kafeve të vogla’ dhe këtë vit do të kemi një program artistik me DJ dhe bende të njohura nga zhanret house, jazz, muzikë elektronike, funky etj. Në këtë rrugë do të vendoset edhe një skenë, ku gjithashtu do t’u japim hapësirë artistëve të rinj dhe krijuesve të rinj, që të prezantojnë punën e tyre, të shesin produktet e tyre dhe të krijojnë kontakte me njerëz të tjerë. Qëllimi kryesor i këtij eventi është që të gërshetohen arti, muzika dhe inovacioni, në një rrugë ku ndodhen baret dhe restorantet më të njohura në kryeqytet.”
Nga z. Badivuku, mësuam që hyrja për të gjithë në eventit ‘Street Party Prishtina’, do të jetë pa pagesë dhe se kjo ngjarje do të zhvillohet nën patronatin e Komunës së Prishtinës.