Pas të gjitha përgatitjeve teknike dhe operative nga ana e Komunës së Prishtinës dhe kompanisë, sot fillon faza e tretë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës.
Kjo ditë është caktuar pasi që parashikimet klimatike sigurojnë një javë me mot stabil dhe pa reshje, për arsye se reshjet gjatë procesit të dezinsektimit e bëjnë të paefektshëm aksionin.
Siç pohojnë zyrtarët komunal, duke u bazuar në këto të dhëna, sivjet do të dezinsektohet një sipërfaqe e përgjithshme prej mbi 6000 hektarë, duke përfshirë edhe zona rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu theksoi se edhe këtë vit do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e tij, andaj luten të gjithë qytetarët për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm. Gjatë kohës së dezinsektimit, për së paku një orë duhet të kufizohet dalja në hapësirat që dezinsektohen. Gjithashtu, dritaret e shtëpive dhe banesave duhet të mbahen të mbyllura në mënyrë që të mos futen insektet brenda. Apelohet tek shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe”, theksoi Miranda Mullafazliu duke shtuar se monitorimi i këtij procesi nga ana e Komunës së Prishtinës do të jetë i vazhdueshëm, dhe në bashkëpunim me qytetarët do ta japim maksimumin për një dezinsektim sa më efektiv.
Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 23:30 (24:00), sipas datave të mëposhtme në lagjet: 11 korrik Aktash, Lagjja e Muhaxherrëve, Parku i Qytetit, Vellushë (Blloqet-Shtëpia e Pleqve), Qendra e Qytetit, Qyteza Pejton, Tophane; 12 korrik- Lakrishte, Dardania, Arbëria,Shkabaj, Ulpiana, Zona Industriale dhe Kazerma Adem Jashari 13 korrik- Prishtina e Re (Veternik), Lagjja Nic; Lagjja Qëndresa, Kodra e Trimave dhe Vneshtat, 14 korrik Bregu i Diellit, Lagjja E Spitalit, Kalabria, Kolovice dhe Kolovice e Re, 15 korrik- Taslixhe, Velani, Mat, Sofali, Taukbahqe dhe Gërmi dhe 16 korrik Bernice e Eperme dhe Bernice e Poshtme, Barileve, Besi, Bardhosh, Prugovc, Teneshdoll, Vranidoll dhe Hajvali.
Për çdo informatë shtesë apo paqartësi në lidhje me procesin mund të kontaktoni në këta numra telefoni: 049 221 223; 049 221 224; 044 248 442