Prishtina po numëron ditët deri në një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon. Sunny Hill Festival do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht në Bërnicë, duke sjellë tre ditë plot muzikë, atmosferë elektrizuese dhe mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Edicioni i sivjetmë premton të jetë ndër më spektakolarët deri më tani. Organizatorët kanë konfirmuar një listë emrash të njohur të skenës ndërkombëtare, ku spikasin yje si Katy Perry, Martin Garrix, kolektivi Keinemusik (Adam Port dhe Rampa), PAWSA, Seth Troxler, Carlita dhe Manifest, e shumë artistë tjerë.
Sunny Hill Festival tashmë është shndërruar në një prej festivaleve më të rëndësishme të Evropës Juglindore, duke tërhequr çdo vit dhjetëra mijëra adhurues të muzikës nga mbi 50 vende të ndryshme. Përveç performancave në skenat kryesore, festivali ofron një eksperiencë të plotë me zona argëtimi, gastronomi, instalacione artistike dhe aktivitete të ndryshme gjatë gjithë fundjavës.
I themeluar nga Dua Lipa dhe Dukagjin Lipa, festivali ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e kthyer Prishtinën në një destinacion të rëndësishëm veror për turizmin dhe industrinë e muzikës.
Me emra të mëdhenj, një organizim gjithnjë e më ambicioz dhe një atmosferë unike, Sunny Hill Festival pritet të ofrojë edhe një edicion të paharrueshëm për publikun vendas dhe ndërkombëtar.







