Që nga koha kur OBSH-ja ka shpallur pandemi në botë për shkak të COVID-19, koha e kaluar në izolim me fëmijët është fokusi që kanë ekspertët social duke sjellë ide, këshilla dhe mundësi të shumta që prindërit të organizojmë sa më shumë aktivitete për fëmijët në kushte të izolimit. Kjo fushë, është pikë interesi edhe për psikologen dhe terapisten e zhvillimit për fëmijë, Eltira Sadiku, e cila së fundmi ka publikuar artikullin “Aktivitete, Lojëra dhe shumë Emocione për Prindërit dhe Fëmijët në kohë izolimi”. Në një intervistë për Radio KFOR-in, znj. Sadiku, ka shpalosur përmbajtjen dhe rëndësinë emocionale të fëmijëve që e trajton artikulli: “Ashtu sikurse për të rriturit që janë ndërprerë aktivitetet e ndryshme edhe për fëmijët nuk ka më angazhime në aktivitete të ndryshme. Ata tashmë janë në shtëpi, nuk shkojnë në shkollë, nuk ndjekin kurset e ndryshme artistike apo kreative, e madje as ato sportive. Gjithashtu ata nuk kanë më shokët dhe shoqet e tyre për të luajtur lojëra të ndryshme në natyrë, as në shkollë apo kopshte. Fakti që jemi pranë familjes është ndjenjë pozitive, por ka edhe momente kur ndjehemi se jemi bërë monoton nga rutina e përditshme e rrethuar brenda mureve të shtëpive tona. Fëmijët kanë nevojë gjatë gjithë kohës për vëmendjen e prindërve, duan të luajnë lojëra të ndryshme me ta por kanë nevojë edhe për ide kreative. Lojëra të ndryshme mund të zhvillohen për nxitjen e zhvillimit emocional, por edhe të ndikojnë në zhvillimin e të mbajturit mend, po ashtu edhe ndaj zhvillimit të të folurit dhe pasurimit të fjalorit.“
Znj. Sadiku, në artikullin e saj ‘Nëpërmjet lojës fëmijët identifikojnë dhe tregojnë emocionet e tyre’, tregon se cilat aktivitete kontribuojnë më pas në zhvillimin social dhe në ndërveprimin me të tjerët.
Çfarë aktivitete mund të bëjnë prindërit varësisht moshës sipas artikullit “Aktivitete, Lojëra dhe shumë Emocione për Prindërit dhe Fëmijët në kohë izolimi”?, ju njohim në vijim:
Për bebet 6 muaj – mund të krijoni mjedise të përshtatshme në shtëpi duke krijuar disa lloj aktivitetesh si: lodra rrotulluese mbi krevatin e bebit, lodra që mund t’i shtrëngojë, lodra të buta ose topa, fotografi, rrake dhe zile. Bebet zotërojnë shumë pak aftësi manipuluese, përjetojnë botën përmes shikimit, tingujve dhe të prekurit. Mund t’i këndoni bebes dhe ta mbani në krahë duke lëvizur para e pas sipas ritmit të këngës.
Grupë mosha 7 – 17 muaj – mund të bëjnë aktivitete me tinguj dhe fjalë, të imitojnë kafshët, të këndojnë këngë. Të bëni lojëra fizike për shembull mund të fshihni një objekt në dorën tuaj dhe pastaj fëmija ta gjejë. Fëmijët e kësaj moshe pëlqejnë kutitë boshe dhe kënaqen duke i futur e nxjerrë kubat, kapëset etj.
Fëmijët e moshës 18 muaj – 2 vjeç – nuk dëshirojnë të ndajnë lodrat me të tjerët edhe pse u pëlqen të luajnë me ta. Atyre u pëlqen të luajnë më kukulla t’i veshin dhe t’i zhveshin, lodra me të goditur si për shembull një çekiç druri për të goditur gozhdën, ndajnë objektet sipas formave dhe kjo nxit shkathtësitë e duarve, mund të emitoni kafshët dhe të këndoni këngë me ndonjë lodër muzikore që keni në shtëpi. Me plastelinë mund të bëni gjëra të ndryshme varësisht se në çka shfaq interesim fëmija. Aktivitetet me tinguj dhe fjalë u bëjnë shumë përshtypje fëmijëve, sidomos ato që rimojnë dhe njëkohësisht duke i shoqëruar edhe me veprim.
Fëmijët e moshës 3 – 5 vjeç – shfaqin kuriozitet për gjëra. Ata do të bëjnë shumë pyetje dhe do të duan të testojë aftësitë e tyre fizike, sepse kjo është mosha e fantazisë dhe imagjinatës. Mund të bëni aktivitete të ndryshme: lodra ndërtuese, vegla arti (lapsa, ngjyra të drurit, ngjyra të ujit) vizatoni format gjeometrike, jepni fëmijës kubat apo çfarë do që keni në shtëpi të ndajë sipas ngjyrës, formës dhe madhësisë. Libra me fotografi rreth kafshëve, familjes, ngjarjeve të përditshme, të ju thoni vjersha me rimë po ashtu dhe të këndoni, t’ua thoni alfabetin dhe numrat në formë loje. Gjatë leximit të përrallave apo shikimit të tyre në TV, flisni për ndjenjat dhe emocionet që janë në këtë tregim. Nëse keni mundësi të dilni të shëtisni me fëmijët, flisni për gjërat gjatë rrugës që shihni. Përpara pasqyrës bëni aktivitete fizike, vallëzoni në mënyrë që fëmija t’ju emitoj. Nëpërmjet lojës fëmija bëhet personazhi kryesor i botës së tij, duke bërë role se është dikush tjetër do të thotë të marrin role të kundërta gjinore herë të bëhen i miri e herë i keqi, herë viktima e herë heroi. Gjithashtu është e dukshme që në këtë moshë bëjnë shumë pyetje që nganjëherë përgjigjet janë të vështira dhe fëmijët mund të ndihen konfuz.
Fëmijët e moshës 6 – 8 vjeç – kushtoni vëmendje të vazhdueshme kur ata janë duke bërë diçka. Zhvilloni plane të thjeshta për të përmbushur një qëllim dhe ndihmoni ata për të zgjidhur problemet e zakonshme. Flisni për moshën e tyre aktuale se sa vjeç është dhe sa vjeç do të jetë vitin tjetër. Tregoni ndryshimin midis të djathtës dhe të majtës. Shpjegoni ndryshimin e ditës dhe natës dhe çfarë aktivitete bëni në këtë kohë. Identifikoni ndryshimin e katër stinëve të vitit dhe bisedoni për to. Luani lojëra me rregulla dhe zakonisht ata janë mjaft të mirë për t’i kuptuar dhe ndjekur ato. Gjithashtu shpjegoni konceptin e të kundërtës si: e madhe – e vogël, ftohtë – nxehtë etj. Shpjegoni një problem ose situatë nga këndvështrime të ndryshme sepse kjo do t’i ndihmojë fëmijët në zhvillimin e aftësive shoqërore dhe të zënë miq. Gjithsesi nxitni fëmijët të vizatojnë gjëra më të hollësishme.
Fëmijët e moshës 9 – 12 – vjeç mund të bëni aktivitete të ndryshme duke i inkurajuar në gjërat që ata dëshirojnë dhe shfaqin interesim më shumë. Mund të bëni aktivitete fizike sepse u pëlqejnë sportet dhe puna ekipore. Në oborre mund të luani sporte të ndryshme së bashku, në mungesë të oborrit mund të bëni edhe ushtrime fizike për të ruajtur shëndetin fizik dhe atë mendorë edhe në ambiente të brendshme. Inkurajoni që të merren me hobi të ndryshme ku ata shfaqin aftësi si: vizatim, muzikë, sporte etj. Mund të luani lojëra që kërkojnë shpejtësi, aftësi dhe strategji sepse këto lojëra rrisin përqendrimin dhe u ndihmojnë të luftojnë për gjërat që ata duan. Në këtë moshë u përmbahen rregullave të lojërave dhe është në rregull për ta edhe kur humbin.
Nëse po hasni vështirësi me fëmijët tuaj gjatë këtyre ditëve apo nëse keni nevojë për mbështetje psikologjike, ju apo fëmija juaj mund të kontaktoni ‘NOKTA grup’ në facebook dhe @notktagrupi në instagram.