Muaji prill, njihet si “Muaj Ndërkombëtar i Kitarës”, dedikuar një prej instrumenteve më të dashura dhe më të përdorura në muzikës, siç është kitara. “Muaji Ndërkombëtar i Kitarës” u krijua për të promovuar dashurinë për muzikën, për të inkurajuar njerëzit të mësojnë të luajnë kitarë dhe për të vlerësuar ndikimin e madh që ky instrument ka pasur në zhanre të ndryshme muzikore, nga rock dhe pop, deri te jazz, blues dhe muzika klasike. Kitara ka një histori të gjatë që daton prej shekujsh, duke evoluar nga instrumente të lashta me tela në formën moderne që njohim sot. Ajo është bërë simbol i shprehjes artistike dhe kreativitetit për miliona muzikantë në mbarë botën. Nga legjendat si Jimi Hendrix dhe Eric Clapton, deri te artistët bashkëkohorë, kitara ka qenë në qendër të shumë prej këngëve më të njohura në histori. Tingulli i saj unik ka formësuar identitetin e shumë zhanreve muzikore. “Muaji i Kitarës” është një mundësi për të festuar muzikën, për të zbuluar talente të reja dhe për të kujtuar fuqinë që ka arti për të bashkuar njerëzit.







