Shfaqja e baletit “Le Corsaire”, që ngjitet sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës me fillim nga ora 20:00, shënon edhe premierën e tretë për këtë vit nga Baleti Kombëtar i Kosovës.
Drejtori i kësaj trupe, Ahmet Brahimaj, për Radio KFOR-in, shpalosi detaje rreth shfaqjes “Le Corsaire”:
“Sonte Baleti Kombëtar i Kosovës vjen me shfaqjen “Le Corsaire”, nën koreografinë e Israel Rodriguez me asistent Kreshnik Musolli. Në këtë shfaqje paraqitet e gjithë trupa, prej 29 balerinëve. Kjo është një shfaqje e cila luhet nëpër të gjitha qendrat botërore dhe është shfaqje e baletit klasik. Sa i kam përcjellë provat, “Le Corsaire”, do të jetë një shfaqje shumë e mirë, shumë atraktive me variacone të vështira, të cilat do t’i interpretojnë balerinët tanë”.
Të premtën kjo shfaqje e ka reprizën në po të njëjtën kohë dhe vend, nga ora 20:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Pas shfaqjes, këtë të dielë, trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës do të udhëtojnë për në Finlandë, ku do të shpalosin programin e tyre në 4 qytete të ndryshme.