Policia e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të saj të vazhdueshme për ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e sigurisë në komunikacion organizon dhe zhvillon në mënyrë të shpeshtë fushata të ndryshme vetëdijesuese, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e përgjegjësisë së pjesëmarrësve në trafik. Përmes mesazheve të saj, Policia e Kosovës u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Në kuadër të fushatës, drejtuesve u bëhet thirrje që të jenë të përqendruar gjatë vozitjes, të mos përdorin telefonin në mënyrë të papërshtatshme dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit. Mesazhi i Policisë së Kosovës për bashkatdhetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik është i qartë: rruga drejt familjes duhet të përfundojë me një arritje të sigurt në vendlindje dhe anasjelltas.
Policia u kërkon qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi në trafik, të vozisin me kujdes dhe të respektojnë rregullat, në mënyrë që kthimi në Kosovë të jetë i sigurt për të gjithë.







