Policia e Kosovës edhe gjatë muajit tetor, vjen me kampanja dhe fushata vetëdijesuese për ruajtjen dhe sigurinë e të gjithë banorëve në Kosovë.
Për të ruajtur fëmijët, më saktësisht nxënësit në komunikacion, Policia e Kosovës në fillim të muajit tetor, ka lansuar fushatën sensibilizuese për sigurinë në trafik për nxënësit e ciklit të ulët, në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë dhe për shoferët e rastit para shkollës në fjalë. Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha për Radio KFOR-in, njoftoi se nxënësve u janë shpërndarë varëse për çanta, vizore dhe shirita vezullues për vendosjen e tyre në krahë, ndërsa për shoferët janë shpërndarë aromatizues për automjete me mesazhe ndërgjegjësuese.
Gjatë këtij muaji (Tetor), zëdhënësi Hoxha, njoftoi gjithashtu se Policia e Kosovës, ka ndërmarrë edhe aktivitete dhe fushata të tjera ndërgjegjësuese, si:
– Kujdes të shtuar në trafik, aty ku lëvizin makineritë bujqësore por edhe makina të tjera të ndryshme,
– Si të jemi më të sigurt në timon gjatë mjegullës.
Sipas zëdhënësit Hoxha, këtë muaj po ndërmerren aktivitete e fushata të tjera, të cilat ende janë në proces dhe po realizohen nga Policia e Kosovës nga niveli qendror dhe drejtoritë rajonale të Policisë, me të vetmin qëllim, vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, në veçanti shoferët në funksion të zvogëlimit të aksidenteve në trafik dhe krijimit të një sigurie më të madhe rrugore për të gjithë.