Policia e Kosovës po vazhdon të trajtoj me seriozitet rastet e dhunës në familje, duke realizuar fushata vetëdijesuese për pasojat e dhunës në familje si dhe duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar dhe pa u trajtuar nga organet kompetente.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, z. Daut Hoxha, ka treguar edhe për fushatat e këtij institucioni kundër dhunës në familje: “Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje. Policia po përdor forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushata të ndryshme vetëdijesuese, shpërndarje të fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale, na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapet dhe të shkojë tek sa më shumë persona, e ky është qëllim ynë primar që rastet e dhunës në familje të reduktohen.”
Nga Policia e Kosovës është informuar se gjatë periudhës janar-mars 2022, janë raportuar 697 raste të dhunës në familje, në një total prej 769 viktimave, ndërsa vitin e kaluar, përgjatë gjithë vitit 2021, janë raportuar gjithsej 2.456 raste të dhunës në familje.