Misioni i Policisë së Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj, është përkushtimi në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor, nëpër të gjitha rrugët e vendit. Me shtimin e komunikacionit dhe stinës së verës janë shtuar patrullimet dhe gjobat për të gjithë ata që nuk respektojnë rregullat në trafik.
Policia e Kosovës nëpërmes një komunikate për media, njofton se njësia për Kontroll të Autostradave vazhdon me shtimin e masave të sigurisë në trafikun rrugor, duke implementuar planet operative aktive si: “Siguria në trafikun rrugor”, ”Shtimi i masave të sigurisë në trafikun rrugor” dhe “Kontrollimi i shtuar i transportit publik të udhëtarëve”.
Sipas raportit të tyre gjatë periudhës kohore nga data 01.05.22 deri me datën 31.05.22, janë shqiptuar 4.291 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, prej të cilave në kuadër të planit operativ “Kontrollimi i shtuar i transportit publik të udhëtarëve”, janë shqiptuar 137 gjoba për mjetet e transportit publik të udhëtareve, prej të cilave 29 tiketa për personat juridik.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.