Çdo vit, më 14 qershor, në mbarë botën shënohet ‘Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut’. Në këtë ditë organizatat shëndetësore punojnë për të rritur ndërgjegjësimin dhe vetëdijësimin për nevojën e dhurimit të gjakut për personat në nevoj dhe për solidarizimin e njerëzve për të dhuruar gjak.
Dhurimi vullnetar i gjakut organizohet çdo vit në Kosovë, nga ‘Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut’ (QKTGJ). Java e dhurimit të gjakut këtë vit ka filluar nga data 10 Qershor dhe do të zgjat deri më datën 17 Qershor. Menaxherja për promovim dhe organizim të dhurimit të gjakut në QKTGJ Albana Gashi, në një intervistë për Radio KFOR-in, tregoi për aktivitetet që ata do të shënojnë në këtë ditë, duke theksuar se interesimi i qytetarëve për dhurim të gjakut është i kënaqshëm edhe këtë vit:
“Java e dhurimit të gjakut ka filluar nga data 10 qershor dhe do të zgjat deri me 17 qershor, ku jemi vendosur në Sheshin ‘Nëna Terezë’ në Prishtinë, nga ora 10:00 e mëngjesit për të qenë sa më afër qytetarëve në mënyrë që ata ta kenë sa më të lehtë të dhurojnë gjak. Aktivitete të tjera kemi edhe në qendra tjera të Kosovës, gjithsej në 7 qendra në Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë dhe Vushtrri, ku qytetarët mund të dhurojnë vullnetarisht gjak në qytetet e tyre”, shtoi Albana.
Znj. Albana më tej tha se duke pasur parasysh se çdo ditë kemi aksidente në komunikacion, pastaj kemi raste të fëmijëve të sëmurë me leukemi dhe pacientë me kancer, çdo ditë kemi kërkesa për gjak në mënyrë që t’u dalim në ndihmë pacientëve dhe interesimi për të dhuruar gjak këtë vit është i lartë.
Moto e këtij e viti e ‘Qendrës Kombëtare të Transfusionit të Gjakut’, është ‘Jep dhuratën më të çmueshme, dhuro gjak’.