Data e sotme, 8 shtator, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit”, e shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në vitin 1966.
“Dita Ndërkombëtare e Shkrim-Leximit” bën thirrje për të nxitur përkrahjen e edukimit në nivel global, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e shkrim-leximit dhe për të promovuar përpjekjet për të luftuar analfabetizmin në të gjithë botën.
Aftësia për të lexuar dhe shkruar është thelbësore për të marrë pjesë plotësisht në shoqërinë moderne dhe për të pasur qasje në informacion dhe edukim të qëndrueshëm. Në botën e sotme, ku teknologjia dhe informacioni luajnë një rol kaq të madh, shkrim-leximi është një çelës për të thyer ciklin e varfërisë, për të përmirësuar shëndetin dhe për të fuqizuar individët, sidomos gratë dhe vajzat. Edhe pse janë bërë përparime të mëdha, sfidat e analfabetizmit mbeten ende të mëdha. Sipas statistikave të UNESCO-s, më shumë se 773 milionë të rritur në mbarë botën, ende nuk kanë aftësi themelore të shkrim-leximit. Shumica e tyre janë vajza e gra dhe ato janë shpesh të margjinalizuara për shkak të varfërisë, përkatësisë etnike ose gjeografisë.







