Për nder të “Ditës Evropiane të Gjuhëve”, e cila festohet më 26 shtator, Ambasada Franceze, EU National Institutes for Colture (EUNIC) në Prishtinë dhe PLAY International, sot (30.09.2020), në fushën e futbollit “Rilindja” në Tokbashqe, organizuan një aktivitet me disa fëmijë nga Shkolla Franceze Ndërkombëtare në Prishtinë, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Hasan Prishtina” nga Prishtina si dhe fëmijë nga organizata “GAIA” që gjendet në Gracanicë.
“Loja është një mundësi e mirë për t’i shuar paragjykimet dhe për të kuptuar që të gjithë jemi të njëjtë”, kështu tha për Radio KFOR-in koordinatorja e programit për fëmijë në organizatën “GAIA”, Mirjeta Shatri dhe më tutje shtoi: “Fëmijët të cilët janë këtu janë fëmijë të komunitetit rom, ashkali, ku si gjuhë të përbashkët e kanë gjuhën rome dhe serbe, kurse ashkalitë e flasin gjuhën shqipe. Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij aktiviteti pasi që fëmijët e kanë mundësinë me u ekspozu edhe ndaj fëmijëve të komuniteteve të tjera, sepse grupi tjetër është me fëmijë shqiptarë edhe fëmijë francezë. Ideja e aktiviteteve është që përmes lojës fëmijët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të arritur një qëllim të caktuar, të kenë rezultate të mira ose ta fitojnë lojën. Këta e arrijnë një qëllim, por e bëjnë përmes lojës, dhe nuk janë të vetëdijshëm që në këtë mënyrë po socializohen me njëri-tjetrin!.”
Organizimi i këtij aktiviteti tregon se sporti dhe lojërat janë një nga mjetet më të mira të komunikimit, ku fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësi të bashkëpunojnë dhe t’i ndajnë së bashku kulturat e tyre.