Muaji prill në Radio KFOR, u karakterizua me fushatën, që për kryefjalë kishte teknologjinë, duke përfshirë akterë të ndryshëm të kësaj sfere, të cilët përgjatë këtij muaji, dëgjuesit tanë i njoftuan me informacione të ndryshme për kompanitë të cilat i drejtojnë ose atyre që u përkasin.
Sot (29.04.22), këtë kampanjë e përmbyllëm me zëdhënësen për media në Ipko Foundation, znj. Artinë Muçiqi, e cila ishte mysafire në studion e Radio KFOR-it, ku shpalosi programin e larmishëm të kësaj kompanie për ‘Javën e vajzave në teknologji’ dhe rezultatet që u nxorën nga aktivitetet e organizuara: ”Kanë qenë të shumta aktivitetet që vazhdimisht i organizojmë, por dua t’i nënvizoj ato që i organizuam në nder të ‘Ditës Botërore të vajzave në Teknologji’, me një Konferencë mjaft produktive, ku kemi ftuar shumë vajza të reja, për t’i frymëzuar që përmes shembujve të 2 vajzave të suksesshme në kompani botërore sot, siç janë znj. Teuta Hyseni, e cila është inxhiniere e lartë në kompaninë e njohur globale teknologjike ”Microsoft” dhe znj. Ema Zeqiraj, e cila është udhëheqëse dhe themeluese e Kompanisë, që është themeluar rishtazi në Kosovë ”Jungle”. Këta shembuj kanë shërbyer që vajzat e reja, prezente në Konferencë, të mund të pasqyrojnë të ardhmen e tyre të suksesshme, nesër”, nënvizoi, znj. Artina.
Znj. Muçiqi, tregoi gjithashtu se Konferenca “Girls in ICT”, e mbajtur dje (28.04.22), u organizua me temën “Qasje & Siguri”, nga IPKO Foundation në bashkëpunim me RIT Kosovo, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.