Këtë javë, Misioni i OSBE-së në Kosovë mblodhi 13 artistë të rinj nga komunitetet shqiptare, serbe, turke dhe rome në komunën e Vushtrrisë, për realizimin e një kolonie arti katër-ditore.
Asistent i Lartë në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Predrag Rasic, na tregoi më shumë për këtë ngjarje: “Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie ishin artistë të rinj nga komuniteti shqiptar, rom dhe serb, të cilët jetojnë ose janë me origjinë nga komuna e Vushtrrisë. Si pjesë e këtij aktiviteti, ne gjithashtu realizuam dy piktura murale. Njëra ishte në murin e qendrës sportive në Vushtrri, ndërsa tjetra ishte në murin e Qendrës Mësimore të Romëve në Priluzhje. ”
Ai theksoi gjithashtu se përveç artistëve, ata kishin një numër të madh të vullnetarëve të cilët kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në realizimin e kësaj punëtorie: “Një projekt i tillë u ka mundësuar artistëve të rinj, të cilët mund të mos kenë mundësi të takohen në rrethana të tjera, të jenë së bashku, të punojnë së bashku, të komunikojnë dhe thjesht të sjellin së bashku disa nga pikëpamjet dhe idetë e tyre”, shtoi Rashiq.