Vetëm tezja mund të të dhurojë përqafimin e nënës, të mbajë sekrete sikur motra dhe të dhurojë dashuri e të na sjellë lumturi sikurse një shok apo shoqe e mirë, e këto janë vetëm disa nga ndjesitë që i kemi, ne që jemi fatlum të kemi një apo më shumë teze në jetën tonë.
Duke njohur dhe vlerësuar rolin e madh që ka tezja, në rritjen dhe ndërtimin e karakterit të fëmijës, data e sotme 26 korrik, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Tezes”.
Kjo ditë, kremtohet në mbarë botën për të vlerësuar dashurinë që tezet ndajnë me mbesat dhe nipërit e tyre. Roli i një tezeje është i veçantë dhe i çmuar. Ajo shërben shpeshherë edhe si një figurë e ndërmjetme midis prindërve dhe fëmijëve, duke ofruar dashuri, kujdes, mbështetje emocionale dhe udhëheqje. Tezet janë shpesh nxitëset e humorit, ‘avokatet e fshehura’ për nipërit dhe mbesat, si dhe mikeshat e sinqerta të fëmijëve.
Tezet mbushin jetën tonë me argëtim, të qeshura, dashuri dhe kujtime të jashtëzakonshme dhe mbajnë një vend të jashtëzakonshëm në zemrat e mbesave dhe nipërve, të cilët shpesh kanë tezen e tyre të preferuar në familje, e cila i përkëdhelë dhe i mbulon me dhurata dhe dashuri të pakushtëzuar.
“Dita Botërore e Tezës” është një mundësi për t’i falënderuar tezet tona për ndikimin dhe kontributin e tyre në jetën tonë, andaj sot, në ditën e tyre, t’i falënderojmë edhe përmes rrjeteve sociale duke bërë TAG ato apo përmes thurjes apo hashtag #happyworldauntiesday .