‘PriFest’ ka mbajtur online edicionin e 12-të të ‘PriForum’, gjatë fundjavës, duke organizuar shumë aktivitete, panel diskutimesh, workshope dhe seanca me ekspertë të ndryshëm. Po ashtu, është mbajtur edhe gara ‘Best Pitch’ në zoom, para jurisë ndërkombëtare, si: Linda Beath, eksperte finance dhe koproduksioni nga Kanada, Wendy Bernfeld, VOD eksperte nga Holanda dhe Danijel Hocevar, producent nga Sllovenia.
Në ditën e dytë të këtij organizimi, ‘PriForum’ shpalli fituesit, ku çmimi i parë, shërbime colour grading (Përpunimi i ngjyrave) e ndarë nga kompania ‘In My Country Production’, iu dha projektit filmik ‘The Second Chapter’ nga Shqipëria; çmimin e dytë e mori postproduksioni i zërit (Foleys) i dhënë nga kompania ‘Audiohaus’, çmimi nga Maqedonia Veriore ju nda projektit filmik ‘Balkan Top Stars’ nga Serbia; çmimi për prezantimin më të mirë (Best Pitch) që ndahet nga ‘PriFest’ iu dha projektit filmik, ‘Flirtbar’ nga Kosova si dhe dedikim i veçantë nga juria ju bë edhe projektit filmik nga Mali i zi ‘Scarab’.
Vlen të theksohet se edicioni i 12-të me radhë i ‘PriFestit’, për këtë vit, do të mbahet në ambiente të hapura, nga data 25 deri më 30 gusht, 2020.