Si pasojë e pandemisë ‘CoViD-19’, në gjithë botën ekonomia ka rënë dhe ka krijuar kriza financiare, ka dëmtuar ekonominë e përgjithshme të vendeve dhe ekonomitë familjare. Shumë biznese si rrjedhojë e gjendjes ekonomike kanë falimentuar dhe qindra persona kanë humbur vendet e tyre të punës në sektorin privat.
Gjendja ekonomike ka prekur edhe Kosovën, ku mbi 232 milionë euro më pak, llogariten të jenë të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë ‘CoViD-19’, kanë deklaruar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Rrustem Abiti, në një bisedë për Radio KFOR-in tregoi se pandemia në Kosovë ka dëmtuar rëndë gjendjen e përgjithshme ekonomike dhe rrjedhimisht edhe atë familjare: “Edhe shtetet më të mëdha dhe më të zhvilluara ekonomikisht, kanë pasur probleme ekonomike nga pandemia. Prandaj, edhe në Kosovë problemet janë shumë të theksuara në ekonominë familjare, biznese dhe të gjitha format e mundshme të problemeve ekonomike që ka sjellur pandemia. Si pasojë e kësaj situate, buxheti i vendit tonë nuk ka kapacitete buxhetore të mbulojnë humbjet që janë krijuar nga pandemia.”
Parashikimet dhe analizat e ekspertëve ekonomik nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtare, kanë treguar për tkurrje të ekonomisë së Kosovës në vitin 2020 për mbi 5 për qind.