Në një botë që shpesh ngutet për të fajësuar dhe rrallë herë ndalet për të kuptuar, vjen një ditë që na kujton fuqinë më të nënvlerësuar të njerëzimit – faljen. E njohur si ‘Dita Ndërkombëtare e Faljes’, kjo e diel, nuk është thjesht një datë kalendarike, por një ftesë globale për shërim emocional dhe paqe të brendshme.
Kjo ditë nisi të festohet në Amerikë nga organizata ‘Worldwide Forgiveness Alliance’, me qëllimin për ta kthyer faljen në një vlerë universale, jo thjesht personale. Sot, kjo ditë festohet në vende të ndryshme, duke nxitur reflektim dhe dialog mbi një temë që prek të gjithë, por që pak kush e pranon hapur, për plagët emocionale që mbartim ndër vite.
Akti i faljes na ndihmon të zvogëlojmë stresin, përmirësim të mirëqenies dhe më e rëndësishmja lirimin nga barra emocionale e së kaluarës.
Siç e përkufizon autori amerikan Paul Boese, faljen: “Falja nuk e ndryshon të kaluarën, por i hap rrugë një të ardhmeje më të qetë”.
Të falësh pra, nuk nënkupton të justifikosh padrejtësitë, përkundrazi, është një formë aktive e rezistencës emocionale, ku ti zgjedh të mos lejosh plagët të të përcaktojnë.







