‘Federata Bjeshkatare Alpiniste’ e Kosovës, do të organizoj edhe këtë vit aktivitetin ‘Takimet Bjeshkatare’, në bashkëpunim me Shoqatën Bjeshkatare Alpiniste ‘Kaçaniku 2015’. Në këtë aktivitet që do të mbahet me 22 qershor të këtij viti, do të marrin pjesë të gjitha shoqëritë dhe klubet simotra bjeshkatare nga Kosova, por edhe nga vende tjera të rajonit.
Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me kryetarin e ‘Federatës Bjeshkatare Alpiniste’ të Kosovës Arben Lila, i cili shpalosi detaje lidhur me këtë aktivitet:
“Takimet bjeshkatare mbahen çdo vit. Kemi gjithsej 21 shoqëri anëtare në Federatën Bjeshkatare të Kosovës. Këto takime do të mbahen këtë vit në Kaçanik, ku i kemi ftuar të gjitha shoqatat në vend dhe shumë shoqata bjeshkatare nga i tërë rajoni dhe vende të tjera. Me 22 qershor, do të mblidhemi për një kamping, më pas me datën 23 qershor, në mëngjes, synohet arritja e majes së Lypetenit”, tregoi z. Arbeni.
Arbeni theksoi gjithashtu se në përgjithësi shoqëria jonë ka traditë në bjeshkatari, ndërsa theksoi se shoqata e parë e bjeshkatarisë e formuar në Kosovë ishte shoqata ‘Gjeravica’ nga Peja, e themeluar në vitin 1928 dhe anëtarja e kësaj shoqate Mrika Nikqi, ka arritur të prek majën më të lartë në botë atë të malit ‘Everest’ dhe si rrjedhojë Mrika synon të futet në librin e rekordeve Ginis, si vajza më e re në moshë që ka arritur të ngjitet këtë mal.