Të jesh optimist nuk do të thotë të mbyllësh sytë përballë problemeve apo vështirësive, por të kesh besimin se çdo sfidë ka një zgjidhje dhe se çdo ditë mbart një mundësi të re. Sot, më 5 shkurt, bota shënon ‘Ditën e Optimizmit’, një thirrje globale për të promovuar mirësinë, bashkimin dhe mendimin pozitiv.
Kjo ditë shërben si një kujtesë e bukur se këndvështrimi ynë ndaj jetës ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si jetojmë. Optimizmi është një forcë e brendshme që na ndihmon të përballemi me sfidat me guxim, shpresë dhe vendosmëri. Njerëzit optimistë kanë më shumë gjasa të mos dorëzohen, të nxjerrin mësime nga gabimet dhe të ecin përpara, edhe kur rruga duket e vështirë.
Një mendim pozitiv nuk ndikon vetëm në humorin tonë, por edhe në mënyrën se si reagojmë ndaj situatave të jetës. ‘Dita e Optimizmit’ na fton të vlerësojmë gjërat e vogla, të ndërtojmë marrëdhënie më të shëndetshme dhe të përhapim energji pozitive tek njerëzit përreth nesh. Sepse ndonjëherë, një buzëqeshje, një fjalë e mirë apo një qëndrim shpresëplotë mjafton për të bërë një ndryshim të madh.







