Sipas të dhënave të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, fatmirësisht, ditë pas dite, po raportohet për ulje të rasteve të reja me ‘CoViD-19’. Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë, numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ka shkuar në 14.446 persona, kurse numri i të vdekurve ka arritur në 581 persona.
Por, për të ditur se cila është gjendja momentale në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, Radio KFOR-i ka kontaktuar, infektologun Dr. Arben Vishaj i cili tha: “Për momentin në Klinikën Infektive i kemi të hospitalizuar 67 pacientë. Edhe pse situata duket më stabile, është prapë gjendje mjaft e rëndë dhe assesi nuk guxojmë që mos t’i respektojmë masat të cilat janë të rekomanduara nga Institucionet e vendit tonë. Çdo rekomandim që del nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duhet me përpikëri të zbatohen nga qytetarët e vendit tonë.”
Edhe pse shifrat e personave të prekur me virusin ‘CoViD-19’ kanë filluar të bien, në krahasim me muajt e kaluar, prapë se prapë duhet të kemi kujdes në vazhdimësi duke shmangur vendet ku ka shumë njerëz, duke mbajtur distancë me të tjerët, duke mbajtur maskë si dhe duke u kujdesur për pastërtinë e duarve.