Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), një në katër persona do të përballet me një problem të shëndetit mendor gjatë jetës së tyre. Sipas OBSH-së, rastet e depresionit dhe ankthit janë në rritje, sidomos pas periudhës së pandemisë COVID-19. Fatkeqësisht, shumë njerëz nuk kërkojnë ndihmë për shkak të stigmës, frikës apo mungesës së informimit.
Muaji maj, është i njohur globalisht edhe si ‘Muaj i Ndërgjegjësimit për Shëndetin Mendor’. Shëndeti mendor është një pjesë thelbësore e mirëqenies sonë të përgjithshme. Ai përfshin mënyrën se si mendojmë, ndjejmë, veprojmë, si e përballojmë stresin, si lidhemi me të tjerët dhe se si marrim vendime.
Disa mënyra se si ta përmirësojmë dhe ruajmë shëndetin mendor:
- Bisedo me dikë – ndarja e ndjenjave me një mik, familjar apo profesionist ndihmon shumë.
- Kujdesu për trupin – ushqimi i shëndetshëm, gjumi i mjaftueshëm dhe aktiviteti fizik ndikojnë direkt në trurin tonë.
- Menaxho stresin – përmes teknikave si meditimi, frymëmarrja e thellë, joga ose shëtitje në natyrë.
- Vendos kufij të shëndetshëm – në punë, në marrëdhënie dhe me teknologjinë.
- Kërko ndihmë profesionale – psikologët, psikiatri dhe terapistët janë aty për të ndihmuar pa gjykim.
Në këtë muaj, le të kujtojmë se çdokush mund të përballet me sfida mendore dhe është në rregull të kërkosh ndihmë. Forca qëndron në pranimin, në bashkëpunimin dhe në ndërtimin e një shoqërie që kujdeset për mirëqenien e çdo individi – jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht.
Ti nuk je vet!







