Prishtina Music Conference (PMC) 2025, ka nisur më 1 nëntor dhe do të zgjasë deri më 8 nëntor, duke sjellë në kryeqytet një javë të plotë të muzikës, kulturës dhe inovacionit. Në skenë do të ngjiten emra të njohur të muzikës elektronike si Freddy K, Paquita Gordon, Opium Hum si dhe artistë të tjerë që po formësojnë tingullin e kohës sonë.
Edicioni i sivjetmë po zhvillohet nën temën “Kosovo: The New Capital of Culture”, duke reflektuar energjinë dhe dinamizmin e një skene që ka kaluar kufijtë lokalë dhe po fiton vendin e saj në hartën kulturore evropiane. Pesë vjet pas themelimit, PMC ka kaluar nga një hapësirë dialogu në një platformë të konsoliduar ku bashkohen artistë, profesionistë dhe komunitete krijuese për të ndarë ide, vizione dhe për të ndërtuar të ardhmen e industrisë kulturore.
Ky edicion shënon një kthesë të rëndësishme nga qëndrueshmëria drejt krijimit, nga pyetjet drejt veprimit. Përmes paneleve, punëtorive dhe aktiviteteve të shumta, Prishtina Music Conference 2025 forcon rolin e kulturës si një forcë transformuese që e vendos Kosovën në qendër të vëmendjes rajonale e ndërkombëtare.







