Personat me aftësi të kufizuara, ndeshen me barriera të panumërta mjedisore dhe shoqërore të cilat ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Andaj dita e sotme 3 dhjetor, i dedikohet ‘Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara’ dhe ka për qëllim që të promovojë të drejtat dhe mirëqenien e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha sferat e shoqërisë dhe zhvillimit si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për pozitën e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha aspektet e jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.
Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, parasheh se për t’u mundësuar personave me aftësi të kufizuara që të jetojnë në mënyrë të pavarur dhe që të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, të gjitha shtetet duhet të marrin masa të duhura, për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuar, në mënyrë të barabartë me të tjerët, qasje në mjediset fizike, në transport, në informacione dhe komunikime, duke i përfshirë teknologjitë dhe sistemet e informacioneve dhe të komunikimeve dhe në objekte si dhe shërbime të tjera që janë të hapura ose publike.
Tema e cila sivjet shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara’, thotë: Të bashkuar në veprim për të shpëtuar dhe arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm për, me dhe nga personat me aftësi të kufizuara.