Në vitin 2023, Kosova ka shënuar një vit të pasur me ngjarje kulturore që kanë theksuar pasurinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore të vendit.
– E nisim ciceronin kulturor me zbulimin më të madh arkeologjik të viteve të fundit, në vendin tonë. Në parkun arkeologjik “Ulpiana”, është zbuluar mbishkrimi i Perandorit Justinian. Në gërmimet në krye me z. Christophe Goddard, z. Arben Hajdari dhe z. Milot Berisha, është zbuluar mbishkrimi në gjuhën latine “Urbem Dardaniae” që në shqip do të thotë “Qyteti i Dardanisë”. Ky shkrim mendohet që është bërë në vitet 527-565 pas lindjes së Krishtit.
– Nga data 4 deri më 12 gusht, është organizuar edicioni i 22-të i festivalit ndërkombëtar “Dokufest”. Në festivalin i cili u mbajt në Prizren, morën pjesë shumë artdashës nga Evropa, për të përjetuar këtë edicion, pjesë e të cilit ishin plotë 105 filma që shfaqën për nëntë ditë me radhë. DokuFest i është bashkuar shtatë festivaleve kryesore të dokumentarëve në Evropë, për nominimin e një filmi të metrazhit të gjatë dhe një filmi të metrazhit të shkurtër për çmimet “Doc Alliance”.
– Këtë vit, në Prishtinë është organizuar edicioni i 15-të i festivalit të filmit PriFest. Nga data 12 deri më 17 shtator, filma vendor dhe ndërkombëtar garuan për çmimet e rëndësishme të festivalit, në kategorinë e filmit të metrazhit të shkurtër dhe të mesëm. Ishte filmi “Road Tripper” nga Franca me regji të Chrisophe Granger, që fitoi çmimin e filmit më të mirë të metrazhit të shkurtër, ndërsa për të mesëm e fitoi filmi “Si në Vaj”, i Aulona Selmanit.
– Për herë të parë në Kosovë, është zhvilluar Festivali i Këngës, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Drejtuesi i Festivalit të Këngës në RTK ishte Adi Krasta, i cili e moderoi festivalin së bashku me Besim Dinën dhe Edona Reshitaj, ku morën kritika shumë pozitive. Ishte Konkurrenti “La Fazani” me këngën “Oj Kosovë”, i cili u shpall fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK, teksa vendi i dytë i ka takuar Angus Dei, me këngën “Një zemër për dy”. Çmimi i tretë i festivalit shkoi për Albin Nikprelaj.
– Edhe këtë vit Prishtina Music Conference, solli në skenën e Kino Armatës personalitete të shumta të industrisë muzikore, për të diskutuar mbi tema që i përkasin veprimtarisë së tyre. Diskutimi ka filluar me praktikat e artit bashkëkohor për t’u përmbyllur një ditë më pas me Elena Orën, e cila po vazhdon të udhëheqë motrën e saj, Rita Orën, drejt sukseseve botërore. Konferenca përfundoi me performancën e perkusionistit maroken, z. Rhani Krija, për të vazhduar më pas me “RAVE Festival” ku performuan artisët e industrisë ndërkombëtare dhe vendore.
– Në ‘Ditën e Evropës’, me 13 maj, ishte hapur edicioni i 13-të i “Chopin Piano Fest Prishtina”, një ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës klasike në Kosovë. Ky festival ka bërë bashkë shumë personalitete të mëdha të muzikës klasikë në botë, ku edhe ka promovuar artistë të rinj kosovar, që synojnë skenat më të mëdha botërore të muzikës klasike me piano. Vendin tonë e vizituan mjeshtri Italian i pianos, Epifanio Comis dhe Adra Strings.
Nga zbulimet arkeologjike e deri te festivalet e muzikës, ky vit pati një shumëllojshmëri të veprimtarive që kanë mbushur skenën kulturore me emocion dhe kreativitet, mirëpo ne kemi ndarë me ju, vetëm disa nga ngjarjet që shënuan vitin 2023 apo vitin që po e lëmë pas.