Festivali i njohur i muzikës ‘ReMusica’, fillon nesër (24.05.19) në Prishtinë, me treshen e njohur të kitaristëve me renome ndërkombëtare, Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigeus dhe Tomislav Vuksic “Trio Elogio”. Edicioni i sivjetmë ‘ReMusica’, mbahet në Prishtinë, në Amfiteatrin e Ri të Biblotekës Universitare dhe fillon nga ora 20:00. “Trio Elogio” do të luajnë pjesë nga autorë të njohur si Wolfgang Amadeus Mozart, Antonin Dvorak, Marko Ruzdjak, Manuel de Falla dhe Rafet Rudi.
Drejtoresha e festivalit ‘ReMusica’, Donika Rudi, për dëgjuesit e Radio KFOR-it zbuloi më shumë detaje rreth programit:
“Pogrami i sivjetmë, edicioni i 18-të i festivalit ReMusica, do të ketë një shtrirje të gjërë, në prezantimin e ansambleve të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore europiane dhe publikut tonë prishtinas”, tha Rudi.
Znj. Rudi tha gjithashtu se në këtë edicion do të vijnë edhe shumë muzikantë të tjerë, si vendorë e të huaj, solo këngëtarë dhe instrumentistë virtuozë të ndryshëm dhe shtoi:
“Këtë vit kemi kënaqësinë dhe nderin ta kemi në ReMusica, virtuozin, uraganin, në instrumentin e tubës, Thomas Leleu, i cili sot paraqet atraksion të vërtet në skenën franceze dh europiane, në përgjithësi, në një anë për virtuozitetin e tij të jashtëzakonshëm si edhe për faktin se ai luan në një instrument që, deri vonë, nuk është konsideruar instrument solistik”.
Vlen të përmendim se ‘ReMusica’, ka nisur që nga viti 2002 dhe është një festival i formës unike dhe për çdo edicion vjen më i veçantë për adhuruesit e muzikës klasike, ndërsa këtë vit do të ketë edhe masterklasa, ligjërata dhe tribuna muzikologjike.