Që nga viti 1988, data 1 dhjetor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të HIV/AIDS-it”, e ndryshe nga vitet e shkuara, shënimi i sivjetmë i “Ditës Botërore të HIV/AIDS-it”, e gjen botën duke u përballur me pandeminë e COVID-19. Mirëpo, situata pandemike nuk duhet që të na bëjë ta lëmë anash trajtimin, diskutimi dhe luftën kundër HIV/AIDS, kështu tha për Radio KFOR-in infektologu dhe Shefi i Repartit të Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme dhe HIV/AIDS, Murat Mehmeti i cili me rastin e kësaj dite, gjithashtu shtoi: “HIV/AIDS është një sëmundje e cila po ashtu është një pandemi e cila ka përfshirë gjithë botën me këtë infeksion, mirëpo që krahasuar me fillimin e kësaj sëmundjeje kur nuk ka pasur trajtim, nuk ka pasur terapi. Tani është një situatë shumë më e volitshme duke pasur parasysh faktin që ekziston një terapi e cila edhe pse nuk e shëron plotësisht këtë sëmundje, arrihet që përmes kësaj terapie ky virus të zvogëlohet deri në vlera të padetektueshme. Si e tillë, njerëzit e infektuar me marrjen e terapisë mund të bëjnë një jetë shumë normale. Në vendin tonë, fatmirësisht duke filluar nga viti 1986 kur është zbuluar rasti i parë në Kosovë e deri në vitin 2020, numri i të infektuarve është rreth 130 persona dhe kjo është një përparësi për vendin tonë, mirëpo pavarësisht kësaj në asnjë mënyrë nuk guxojmë ne që të jemi komoditet, që të mos i përmbahemi masave mbrojtëse.”
Ndryshe, si pasojë e masave parandaluese për përhapjen e COVID-19, “Dita Botërore e HIV/AIDS-it” do të shënohen kryesisht me aktivitete online gjithandej globit, nën sloganin “Fuqizoje shiritin” ose “Jepi fuqi shiritit” (Rock the ribbon), i cili ka për qëllim të ngritë vetëdijen për shiritin e kuq dhe të ndaloje stigmatizimin për të infektuarit me këtë virus.