Qendra “Termokiss” do të organizojë më 22 dhe 23 shkurt 2020, punëtorinë e radhës për thurje me kërrabëza.
Kjo punëtori për thurje të çorapeve me kërrabëza do të mbahet nga Arzu Sinik, e cila vjen nga Prizren dhe dëshiron që në të ardhmen të hap një qendër kulturore në Prizren.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Zyrtaren për Marrëdhënie me Publikun, Fjolla Brisku, e cila ka bërë të ditur se punëtoria në fjalë është e hapur për qytetarët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë: “Arzu është një vajzë nga Prizreni, por jeton në Finlandë. Tani, ajo dëshiron me u kthy në Prizren për me hap një qendër sociale në Prizren, siç është Termokiss. Ajo ka shprehur dëshirë që të vijë në Termokiss, të shoh se si shkon rrjedha e punëve, se si funksionojmë ne dhe si e menaxhojmë qendrën. Ka shumë interesim për pjesëmarrje në këtë punëtori për thurje me kërrabëza, sidomos nga të rriturit, sepse si fëmijë gjithmonë i kemi parë prindërit duke thurë, por atëherë nuk jemi interesuar ta mësojmë e pastaj i biem pishman, andaj kur na vjen një mundësi e tillë, mundemi me mësu. Nuk ka nevojë për aplikim në këtë punëtori, thjesht ejani në qendër dhe mësohuni me thur, nuk ka lidhje mosha, është e hapur për të gjithë. Termokiss është i hapur për të gjithë njerëzit e të gjitha moshave dhe të gjitha komuniteteve.”